Temperaturat e larta rikthehen Europë duke vënë në alarm veçanërisht autoritetet britanike dhe ato spanjolle.

Gadishulli iberik është më i prekuri nga vala e të nxehtit, siç shfaqet edhe në këto pamje të shërbimeve të meteorologjisë. Termometri në Spanjë e Portugali shënoi, 48 gradë Celcius ndërsa parashikimet flasin për një tjetër rekord 50 gradë Celcius që mund të arrihet gjatë fundjavës.

Shqetësim i lartë mbetet edhe rreziku nga zjarret në pyje. Autoritetet portugeze shpallën gjendjen e gatishmërisë për të parandaluar katastrofat.

Britania e Madhe pritet të përballet me valën e dytë të të nxehtit, pas asaj në ditët e fundit të Korrikut. Temperatura maksimale në vendin ishullor pritet të shkojë deri në 33 gradë Celcius, një nivel tepër i lartë për Britaninë e Madhe që në këtë periudhë regjistron temperatura deri në 25 gradë.