Celula terroriste prej 12 personash që sulmoi Spanjën të enjten, po planifikonte një sulm edhe me dramatik në katedralen e famshme “Sagrada Familia”.

Policia Katalanase thotë se sulmi po përgatitej në një shtëpi ku fabrikoheshin bomba. Shtëpia në qytetin Alcanar, në jug të Barcelonës u hodh në erë një ditë përpara sulmit në Las Camblas.

8 nga anëtarët e celulës kanë humbur jetën, katër janë arrestuar dhe tre janë në kërkim.

Autoritetet identifikuan si autor të sulmit një 22 vjeçar, Junes Abujakub nga Maroku, i cili besohet se drejtonte furgonin që u përplas me një turmë turistesh ne shëtitoren e famshme të Barcelonës.

Të dielën, në Katedralen Sagrada Familia u mbajt mesha për viktimat e sulmit terrorist. Sulmet terroriste qe tronditen Europën në fundjavë kanë ngritur alarmin në mbarë kontinentin.

Italia është objektivi i radhës, shkruajnë mediat italiane duke ju referuar monitorimit të ekstremizmit islamik në internet. Në platformën Telegram, në një llogari të lidhur me shtetin islamik, u zbuluan të dhëna që flisnin për një sulm të mundshëm në Itali. Si rrjedhim, autoritetet në Milano dhe Romë, kanë përforcuar masat e sigurisë, kryesisht në zonat më të frekuentuara nga turistët.