Presidenti i Italisë fillon sot konsultimet për të parë nëse ekziston ndonjë mënyrë për krijimin e një qeverie tjetër koalicioni pas dorëheqjes së kryeministrit Giuseppe Conte.

Presidenti Sergio Mattarella po shikon mundësinë nëse mund të shmangë shpërndarjen e parlamentit tre vjet e gjysmë para afatit. Nëse jo, vendi do të zhvillojë zgjedhje të parakohshme në vjeshtë.

Konsultimet pasojnë dorëheqjen e kryeministrit Giuseppe Conte, të cilën ai e njoftoi dje pasdite në dhomën e sipërme të parlamentit.

Zoti Conte tha se vendimi i partisë Lega, e cila kërkon një votë mosbesimi ndaj qeverisë, e detyroi të ndërpresë mandatin. Ai akuzoi udhëheqësin e Legës, ministrin e brendshëm, Matteo Salvini, për rrëzimin e koalicionit qeverisës për përfitime personale dhe politike.

Zoti Salvini dhe partia e tij po paraqitet mjaft mirë në sondazhet e opinionit, me diçka më pak se 40 përqind. Politikat që ai ndjek kundër emigracionit i kanë shërbyer forcimit të pozitave të tij që kur erdhi në pushtet. /Voa