Një grup i përbërë nga dhjetëra persona është vënë në prangat e policisë italiane në sajë të një megaoperacioni. Policia Antimafias italiane, në bashkëpunim me Prokurorinë e qytetit të Palermos ka arrestuar 34 persona, anëtarë të klanit mafioz sicilian Brancaçio.

Arrestimet janë kryer në rajonet e Sicilisë, Toskanës, Lacios, Emilia Romana, Pulia e Liguria. Po ashtu, janë sekuestruar 42 sipërmarrje në zotërim të këtij klani mafioz më vlerë rreth 60 milionë euro.

Në pranga bosi mafioz

Mes të arrestuarve është dhe bosi mafioz Pietro Tagliavia, kreu i klanit Brancaçio dhe i familjes mafioze ”Corso dei Mille”, i cili ndodhej aktualisht në arrest shtëpiak me akuzën e trafikut të drogës

Akuza ndaj 34 të arrestuarve është pjesëmarrje në organizim mafioz, grabitje, vjedhje, korrupsion, përgjegjës të kërcënimeve të dhunshme e armëmbajtje pa leje.

Si funksiononte grupi

Antimafia rindërtoi të gjithë skemën e funksionimit të grupit Brancaçio.  

Hetimet kanë zbardhur gjithashtu se ky klan mafioz kishte kontrollin e plotë ndaj një grupi sipërmarrësish me aktivitet industrial që operonin në rajone të ndryshme të Italisë.

Falë bashkëpunimit me mafien ky grup sipërmarrësish ka mundur të jetë lider kombëtar në sektorin e konfeksionimit industrial.

Në kuadër të këtij megaoperacioni Finanza e Antimafia italiane ka kryer sekuestrime makinerish e automjetesh dhe në sipërmarrjet e lidhura me klanin mafioz të Bracaçios.