Një bombë artizanale shpërtheu në portën hyrëse të degës lokale të Lega Nordit në qytezën e vogël Ala në veri të Italisë. Fatmirësisht nuk lëndoi njeri, por shkaktoi vetëm thyerje xhamash.

Autorë të sulmit dyshohet të jenë një grup anarkistësh. Ata lanë edhe këtë mesazh ku shkruhej “akoma fryn era”, sipas titullit të një kënge partizane italiane.

Shpërthimi ndodhi para vizitës së ministrit italian të Brendshëm Mateo Salvini, drejtues i Lega Nordit ku ai zhvilloi tubimin elektoral për zgjedhjet e 21 tetorit, kur do të zgjidhet Presidenti dhe Këshilli Rajonal i Trentos.

Shpërthimi është një tjetër tregues i klimës së tensionuar politike në vend. Zyrat e Lega Nord kanë rënë disa herë në të kaluarën, pre e sulmeve me bomba.