Më shumë se 500 refugjatë janë larguar nga një qendër pranimi në një qytezë afër Romës. Ky është veprimi i parë kundër refugjatëve prej ardhjes në pushtet të qeverisë populiste, e cila ka sjellur ligje të ashpra për imigracionin.

Kjo masë është pjesë e miratimit të “Dekretit të Salvinit”, i emëruar sipas ministrit të brendshëm, Matteo Salvini. Ai ka thënë se kjo qendër refugjatësh, në të cilën janë strehuar rreth 8 mijë persona në tetë vjetët e kaluar, është fole e drogës dhe krimit dhe se i njëjti fat i pret edhe dy mijë të strehuar të tjerë në një qendër tjeter që ndodhet në Sicili.

Ministri italian ka thënë se mbyllja e këtyre qendrave ia kursen buxhetit të Italisë gjashtë milionë euro në vit, të cilat do të shpenzohen për t’i ndihmuar italianët. “Unë e bëra atë që do ta bënte secili baba i mirë do ta bënte”, ka thënë ai.

Kryetari i qytezës Castelnuovo di Porto ka thënë se nuk kanë marrë ndonjë paralajmërim nga autoritetet për këtë veprim. Burra, gra dhe fëmijë janë ndarë në grupe dhe janë transportuar me autobusë drejt vendeve të panjohura. Disa refugjatë janë strehuar nga banorët lokalë. Ndaj këtyre veprimeve ka reaguar Rossella Muroni, e cila është anëtare e partisë së vogël majtiste “Liri dhe Barazi”, e cila ka bërë përpjekje për ta ndalur një autobus.

Shumica e refugjatëve të larguar ishin në procesin e aplikimit për azil. Disa prej tyre kishin marrë mbrojtje humanitare, që ua jep të drejtën e qëndrimit në Itali për dy vjet. E drejta për mbrojtje humanitare, e cila ua jepte refugjatëve  edhe të drejtën për të punuar, tashmë është shfuqizuar nga Salvini, shkruan “The Guardian”.