Teksa veriu i Italisë po përjeton ditë të vështira për shkak të koronavirusit, italianët kanë boshatisur supermarketet e farmacitë për tu furnizuar në rast se do të detyrohen të qëndrojnë të mbyllur në shtëpi për një kohë të gjatë.

Njerëzit thonë se duan të jenë të përgatitur për rastet kur mund të shkohet deri në mbylljen e dyqaneve e qendrave tregtare dhe kjo situatë nuk i ka frenuar abuzimet.

Çmimet e një grupi objektesh sanitare kanë mbërritur në stratosferë, thonë mediat vendase. Disa higjenizues në formë xheli që në farmaci shiten 4 euro, në portalin kryesor të shitjeve online kapnin shifrën 200 euro.

Është rritur po kështu dhe çmimi i maskave mbrojtëse, ndërsa edhe dezinfektues të tjerë, nga 4 euro, shiten 26. Ka njoftime edhe se po nisin të vihen re mungesa maskash në treg.

Ashtu siç dyshohej gjatë fundjavës, disa farmaci e supermarkete i kishin mbaruar stoqet e tyre të artikujve dezinfektues, megjithatë autoritetet shëndetësore i kanë ftuar njerëzit të ruajnë qetësinë, e thonë se furnizimet nuk do të mungojnë.