Izraeli ka thënë se bombardimi i një ndërtese në Gaza ku gjendeshin zyrat e mediave ndërkombëtare është bërë pasi objekti po përdorej nga militantët e Hamasit për të bllokuar sistemin e mbrojtjes raketore izraelite.

Në ndërtesën e quajtur Jala gjendeshin edhe zyrat e mediumeve Associated Press (AP) dhe Al Jazeera.

Ambasadori i Izraelit në Shtetet e Bashkuara, Gilad Erdan, u takua me shefin e agjencisë së lajmeve AP, Gary Pruitt, për t’ia shpjeguar arsyet e sulmit.

Ambasadori Erdan u tha drejtuesve të agjencisë amerikane të lajmeve se ndërtesa po përdorej nga Hamasi për të zhvilluar një sistem elektronik për bllokimin e sistemit izraelit të mbrojtjes raketore i njohur si “Kupola e Hekurt”.

Gjatë konfliktit më shumë se 3.000 raketa u shkrepën në Izrael nga Gaza dhe ky sistem i mbrojtjes kishte parandaluar 90% të tyre.

Erdan ofroi gjithashtu ndihmë në rindërtimin e zyrave të agjencisë AP në Gaza.

Agjencia e lajmeve AP e mirëpriti takimin, por tha se ende nuk kishte parë prova për të mbështetur pretendimet izraelite.

Grupi militant palestinez Hamas, që e kontrollon Gazën, nuk ka bërë asnjë koment ende për pretendimet e Izraelit.

Bombardimi i ndërtesës 12 katëshe ndodhi në muajin maj, kur Izraeli dhe grupi militant Hamas zhvilluan një luftë 11-ditore duke shënuar përleshjet më të ashpra që nga viti 2014. Luftimet lanë të vrarë më shumë se 250 persona në Gaza, duke përfshirë 66 fëmijë, si dhe më shumë se 1.900 të plagosur. Në Izrael u vranë 13 persona, duke përfshirë edhe dy fëmijë, ndërsa u plagosën qindra njerëz.

Dëmet në të dyja anët konsiderohen dhjetëra miliona dollarë amerikanë.

Gaza kontrollohet nga Hamasi, një organizatë e shpallur si terroriste nga Izraeli, SHBA-ja, Bashkimi Evropian dhe një sërë vendesh tjera. Izraeli filloi me sulmet ajrore në Gaza pasi militantët sulmuan me raketa qytetet izraelite.