Edhe në Spanjë situata po del jashtë kontollit njësoj si në Itali. Spitalet nuk kanë me kapacitete në terapitë intensive. Në total kanë humbur jetën 4,089 persona, ndërsa në 24 orët e fundit vdiqën 655 persona, më pak se një ditë më parë, ku numri kaloi mbi 700.

Por ndërkohë numri i të prekurve është rritur sipas Ministrisë së Shëndetësisë, duke arritur në 56,188, shifër kjo e dhjetëfishuar, që prej vendosjes së gjendjes së jashtëzakonshme më 14 mars.

Madridi është rajoni më i prekur. Ndërtesa ku zhvillohet sporti i patinazhit me madhësi olimpike është kthyer në morg të improvizuar, si pasojë e numrit të lartë të viktimave. Pamjet e makinave funerale që sillnin trupat e pajetë tregojnë qartë situatën tragjike në Spanjë.

Qeveria vendosi të zgjasë deri më 12 prill emergjencën, në një seancë të dominuar nga debatet dhe polemikat. Kryeministri Pedro Sanchez tha në parlament se vendimi i zgjatjes të emergjencës nuk është i lehtë, por e vetmja alternativë efikase kundër virusit është izolimi social.