Deputetët konservator të partisë së kryeministrit britanik, Boris Johnson janë paralajmëruar që të mos rebelohen kundër qeverisë, për çështjen e Brexit, ndërkohë që deputetët e opozitës po planifikojnë ligje të reja kundër daljes së Britanisë pa marrëveshje nga Bashkimi Evropian.

Nëse e bëjnë një gjë të tillë këta deputet nuk do të futen në listat e partisë në pushtet për zgjedhjet e reja parlamentare, qofshin edhe ato të parakohshme.

E marta është dita kur rimblidhet parlamenti britanik pas pushimeve verore dhe nesër fillon një betejë e pritshme titanike nga opozita, për të penguar planet e kryeministrit, Boris Johnson, për ta nxjerrë Britaninë nga BE-ja me ose pa marrëveshje, më 31 tetor.

Boris Johnson dhe drejtues të lartë konservatorë kanë kërcënuar deputetët e partisë së tij që janë kundër Brexit se nëse do bashkojnë votat me opozitën, ata nuk do të futen më në listat e partisë në pushtet, për zgjedhjet e reja të përgjithshme, për të cilat flitet gjithnjë e më shumë se mund të jenë çështje kohe.

Pasi kryeministri arriti të sigurojë pezullimin e përkohshëm të parlamentit duke ua zvogëluar në minimum kohën deputetëve, që të rrëzojnë planet e tij për daljen e Britanisë ditën e Halloween-it, deputetët e opozitës kanë hartuar ligje që duan t’i miratojnë në parlament kundër daljes pa marrëveshje dhe për këtë kanë nevojë dhe për votat e deputetëve konservatore që janë pro qëndrimit në BE.

Ndërkohe ish-kryeministri britanik, Toni Blair i kërkon pasardhësit të tij, udhëheqësit të opozitës laburiste, Jeremy Corbyn, që të mos bjerë në kurthin e “ithëtarëve” të Brexit dhe të kërkojë zgjedhje të reja të parakohshme.

Blair thotë se rruga më e mirë për t’u konsultuar me publikun britanik për Brexit, nuk janë zgjedhjet e reja të parakohshme, por mbajtja e një referendumi të dytë.

Kjo javë pritet të jetë vendimtare jo aq, nëse Britania do të dalë ose jo nga BE-ja, por për mënyrën sesi, thënë ndryshe, me ose pa marrëveshje dhe se sa të lehtë do ta ketë ketë misionin kryeministri Johnson.