Autoritetet kineze kanë bërë të ditur se rastet e transmetuara lokale të koronavirusit në vend janë në rritje, përderisa numri i personave që kanë marrë vaksinën kundër virusit ka tejkaluar shifrën 15 milionë.

Komisioni Kombëtar i Shëndetësisë (NHC) raportoi 144 infeksione të reja, 126 prej të cilave ishin raste të transmetuara lokale, shifër shqetësuese në rritje që vjen para festës javore të Vitit të Ri Hënor (Festivali i Pranverës), që fillon nga 12 shkurti.

Shumica e rasteve të transmetimit lokal, përkatësisht 68 prej tyre u raportuan në provincën Heilongjiang, e ndjekur nga provinca Jilin me 33 raste dhe provinca Hebei me 20 raste. Po ashtu nga dy raste u raportuan në kryeqytetin Pekin dhe provincën Shanxi si dhe një në Shandong.

Shumë rajone në këto provinca janë nën një bllokim të rreptë për të frenuar rritjen e infeksioneve me COVID-19.

Sipas autoriteteve shëndetësore kineze, numri i përgjithshëm i rasteve të konfirmuara me COVID-19 në vend ka arritur në 88.701, përfshirë 4.635 vdekje dhe 82.468 të shëruar.