Puna e një pjese të administratës amerikane u bllokua për të dytën herë, brenda një muaji. Por këtë herë vetëm për pak orë, teksa në kongres zhvilloheshin debate të ashpra dhe të zgjatura për rritjen e kufirit të borxhit.

Mesnata mes të enjtes dhe të premtes kur skadoi afati i miratimit të një pr/ligjit të ri çoi në aktivizimin e masave që reduktojnë automatikisht shpenzimet buxhetore. Pavarësisht se plani prej 600 faqesh, që shton nivelin e borxhit amerikan me 300 miliardë dollarë për një periudhë dy-vjeçare u hartua nga një komision i përbashkët mes republikanëve dhe demokratëve, nuk qenë të pakët kongresistët e të dyja palëve si në senat ashtu edhe në dhomën e ulët që shprehën kundërshtimet e tyre.

Ndër opozitarët e fortë të këtij plani ishte senatori republikan Rand Paul. Ai i akuzoi për hipokrizi kolegët e partisë së tij, që kishin pranuar rritjen e borxhit në këto nivele të larta. Paul u shpreh se kur republikanët ishin në opozitë kritikonin demokratët për rritje të shpenzimeve, ndërsa tani që janë në pushtet bashkojnë votat me ta.

Plani që parashikon 165 miliardë dollarë shpenzime shtesë për ushtrinë, kaloi në të dyja dhomat e kongresit.