Ndërkohë që Italia numëron 1809 viktima nga koronavirusi, kryeministri Giuseppe Conte ka thënë për mediat italiane këtë të hënë se kjo emergjencë nuk është parë ndonjëherë që pas Luftës së Dytë Botërore.

Conte tha se sipas specialistëve, ende nuk është arritur kulmi, ndërsa paralajmëroi se javët që vijnë janë më të vështirat ndaj duhet kujdes maksimal dhe zbatim i gjithë kufizimeve të vendosura nga qeveria.

“Duhet të shmangim të gjitha daljet që nuk janë të nevojshme. Është momenti për sakrifica, për përgjegjësi. Po përjetojmë një emergjencë që nuk është parë ndonjëherë që prej Luftës së Dytë Botërore. Shumica e italianëve janë të vetëdijshëm se rregullat e reja shërbejnë për të mbrojtur të dashurit tanë. Jam krenar që udhëheq këtë komunitet dhe duartrokitje për mjekët dhe infermierët. Shkencëtarët thonë që nuk e kemi arritur pikun. Këto janë javët më të rrezikshme që kërkojnë kujdes maksimal”, tha Conte.

Kujtojmë se një ditë më parë u shënuan 368 viktima për 24 orë, duke e çuar numrin e personave që kanë humbur jetën nga koronavirusi në 1 809, ndërsa të infektuar 20 600.