Ndërsa ka shkuar në 16 numri i personave të infektuar nga koronavirusi në Itali, autoritetet kanë forcuar masat për të parandaluar përhapjen e virusit që ka shkaktuar deri tani më shumë se 2000 të vdekur në të gjithë botën.

Kastilione d’Ada, e ndodhur 50 km në jug të Milanos, po ashtu edhe Kodonjo e Kazalpusterlengo, ku ndodhen të infektuarit e tjerë kanë mbyllur shkollat, baret, institucionet publike, ndërsa mbi 35 mijë banorëve u është kërkuar të qëndrojnë në shtëpi.

Ndërkohë, Departamenti i Mbrojtjes Civile ka identifikuar në aeroportin ushtarak San Damiano, në komunën e San Giorgio, strukturën në të cilën do të ndërtojnë spitalin, për njerëzit që do t’i nënshtrohen karantinës.

Kryeministri italian, Giuseppe Conte, tha se nuk ka vend për alarm dhe se vendi ishte përgatitur për këtë.

“Deri më tani ne nuk e shohim të arsyeshme pezullimin e Shengen, por do të marrim çdo masë për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve”, tha ai.