Rastet e koronavirusit në të gjithë botën janë shtuar në mënyrë alarmuese, ndërsa OBSH paralajmëron se në vende që nuk kanë një sistem shëndetësor të përgatitur, situata mund të bëhet tragjike.

Deklarata e OBSH iu referohej edhe vendeve afrikane, ku të shtunën shteti më i fundit që konfirmoi infektimin me koronavirus ishte Andorra. Janë gjithsej 308,607 raste të infektuarish në botë, të paktën zyrtarisht, pasi numri mund të jetë shumë herë më i madh.

Mungesa e tamponëve dhe e masave kufiziuese e distancuese ende në shumë vende të botës, mund të bëhet faktor përhapjeje i Sars-cov-19 duke shkaktuar tragjedi në shumë vende.

Janë deri tani 13,049 të vdekur, por edhe 92,382 njerëz që e kanë mundur virusin, sipas shifrave zyrtare raportuar nga Universiteti “John Hopkins”.

Gjatë ditës së shtunë, Italia ka shënuar një numër dramatik vdekjesh, janë 793 viktima të tjera brenda 24 orësh në vendin europian që po lufton më shumë me përhapjen e virusit. Kryeminsitri italian, Giuseppe Conte ka deklaruar se përballja me koromnavirusin është kriza më e keqe që ka pasur Italia që nga Lufta II Botërore. Ai urdhëroi gjithashtu të shtunën mbylljen e të gjitha bizneseve jo-esenciale.

Ushtria ruse njoftoi se do të dërgojë ndihma mjekësore në Itali duke nisur nga e diela, përfshirë mjete të lëvizshme dezinfektuese dhe specialistë mjekësore. Italia e ka kaluar Kinën për numrin e viktimave, duke u parë tashmë si epiqendër globale e pandemikës.

Edhe Spanja është në një situatë shumë të vështirë, me 324 të vdekur vetëm gjatë ditës së shtunë. Vendi ka marrë masa kufizuese por përhapja e virusit duhet të ketë nisur, ashtu si edhe në Itali, shumë më herët nga sa e kanë diktuar, duke vuajtur tani shpërthimin e rasteve në mënyrë masive. Në rajonin e Madridit, i cili ka pasur 60 përqind të rasteve të Spanjës, spitalet janë të tejmbushura dhe përballen me mungesa të pajisjeve.