Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, tha se braktisja e përpjekjeve për të kontrolluar pandeminë e koronavirusit – siç është sugjeruar nga një zyrtar i lartë amerikan – “është e rrezikshme”.

“Ne nuk duhet të dorëzohemi”, tha Tedros në një adresim virtual.

Ai pranoi se pas disa muajsh lufte me koronavirusin e ri, i cili ka marrë më shumë se 1.1 milion jetë njerëzish në gjithë botën, ka një nivel të caktuar të “lodhjes pandemike”.

“Lodhja është e vërtetë, por ne nuk mund të heqim dorë”, tha Tedros.

Kur udhëheqësit veprojnë shpejt, virusi mund të shtypet”, shtoi ai.

Komentet vijnë një ditë pasi Mark Meadows, shef i stafit të presidentit amerikan, Donald Trump, ka thënë për rrjetin televiziv CNN se fokusi i administratës ka kaluar në zbutje të koronavirusit, jo çrrënjosje.

“Ne nuk do ta kontrollojmë pandeminë. Do ta kontrollojmë faktin e të pasurit vaksina, terapeutikë dhe lehtësime të tjera”, ka thënë Meadows, duke e krahasuar sëmundjen që e shkakton koronavirusi, COVID-19, me gripin sezonal.

I pyetur për komentet e Meadowsit, Tedros tha se është dakord se përqëndrimi në zbutje, e veçanërisht në mbrojtjen e personave të cënueshëm, është i rëndësishëm.

“Por, heqja dorë nga kontrolli është e rrezikshme”, këmbënguli ai.

Koronavirusi ka prekur mbi 43.3 milionë njerëz në të gjithë botën. Prej tyre, mbi 1.1 milion kanë vdekur dhe mbi 29 milionë janë shëruar.

SHBA-ja është vendi më i prekur në botë, me mbi 8.6 milionë njerëz të infektuar dhe mbi 225,000 viktima. /REL