Shkelja e rradhës e armëpushimit të vendosur në Soçi të Rusisë, midis gjeneralit libian Khalifa Haftar dhe qeverisë së marrëveshjes kombëtare, ka bërë që kryeministri Fayez al Sarraj të braktis bisedimet e ndërmjetësuara nga OKB.

Në takimin, i cili po mbahej në Gjenevë, morën pjesë pesë përfaqësues të qeverisë libiane të unitetit kombëtar dhe pesë delegatë nga Ushtria Kombëtare Libiane e gjeneralit Khalifa Haftar.

Pak orë më parë, i dërguari i posaçëm i OKB për Libinë, Ghazan Salamé, njoftoi në një konferencë për shtyp se porti i Tripolit ishte sulmuar nga trupat e Haftar, duke goditur një anije që transportonte municion dhe armë nga Turqia .

“Për sa kohë që armëpushimi vazhdon të cenohet, është shumë e vështirë të mendosh për dialog dhe negociata midis dy palëve,” tha Salamé.

Në krizën libiane, gjenerali Haftar është mbështetur nga Rusia, Egjipti, Emiratet dhe Arabia Saudite, ndërsa Al-Serraj ka mbështetjen e Turqisë dhe Katarit. Bashkimi Europian dje vendosi për një mision të ri detar për të monitoruar respektimin e embargos së armëve.

Al-Serraj furnizohet me armë nga Ankara përmes detit. Turqit  gjithashtu kanë dërguar këshilltarë ushtarakë, mbrojtje anti-ajrore dhe dronë në kryeqytetin Libian, si dhe kanë dërguar 2.500 militantë sirianë të ardhur nga provinca e Idlib kurse Haftar akuzohet se po përdorë mercenarë sudanez dhe çadianë.