Presidenti italian Sergio Mattarella ra dakord për një raund të ri konsultimesh me udhëheqësit politikë, në përpjekje për të zgjidhur krizën politike të Italisë. Duke folur me gazetarët në Romë, dy ditë pas rënies së qeverisë populiste të vendit, Presidenti italian tha se nëse asnjë koalicion nuk fiton votën parlamentare, ai mund të krijojë një qeveri teknike ose do të shpallë zgjedhjet e parakohshme. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Zlatica Hoke, njofton se udhëheqësit politikë italianë kanë nisur negociatat në përpjekje për të shmangur zgjedhjet e parakohshme.

Kriza filloi kur Matteo Salvini, ministri i brendshëm dhe udhëheqësi i një partie të së djathtës ekstreme Lega, u largua nga koalicioni qeverisës që zgjati për 14 muaj, me lëvizjen populiste 5 Yjet. Kryeministri Giuseppe Conte dha dorëheqjen përpara një votimi mosbesimi dhe fajësoi zotin Salvini për provokimin e zgjedhjeve të parakohshme.

Partia nacionaliste e zotit Salvini ka nivele të larta miratimi dhe ai duket i sigurtë se do t’i fitojë zgjedhjet e parakohshme.

“Zgjedhjet janë e vetmja zgjidhje. Sovraniteti u përket njerëzve. Kush mund të vendosë më mirë se punëtorët italianë, pensionistët, artizanët, fermerët dhe studentët se kujt t’ia besojnë fatin e familjes, llogarisë bankare dhe kompanive për pesë vitet e ardhshme?”, deklaroi zoti Salvini.

Luigi Di Maio, udhëheqës i Lëvizjes Pesë Yjet, dënoi atë që ai e quajti lëvizje e njëanshme që shkaktoi krizën politike. Megjithatë, pas një takimi me Presidentin Sergio Mattarella, ai deklaroi se partia e tij nuk shqetësohet për zgjedhjet e parakohshme.

“Gjithnjë kemi thënë se kur qytetarëve u jepet mundësia të shprehen, kjo është një fitore për demokracinë. Por, shkuarja tek kutitë e votimit nuk mund të shërbejë se shmangie nga premtimet e dhëna popullit italian. Na kanë mbetur ende shumë premtime për të përmbushur”, deklaroi zoti Di Maio.

Presidenti u dha më shumë kohë për negociata udhëheqësve të partive, por tha se dëshiron përmbyllen me shpejtës të krizës. “Kam detyrimin të kërkoj vendimmarrje të shpejtë në interes të vendit. Do të organizoj konsultime të reja për të arritur në një konkluzion dhe në marrjen e vendimeve të domosdoshme”, njoftoi Presidenti Mattarella.

Sipas mediave, Lëvizja Pesë Yje është duke negociuar me Partinë Demokratike të qendrës së majtë, megjithëse zoti Di Maio nuk e përmendi këtë gjë. Ai tha se do të negociojë për krijimin e një maxhorance solide në parlament. Zoti Salvini ishte shprehur fillimisht se mund edhe të rinovojë aleancën me Lëvizjen Pesë Yjet, nëse kjo lëvizje përqafon një përqasje me konstruktive.

Të dyja këto parti janë partia anti-emigracion, por Lëvizja Pesë Yjet del gjithashtu në mbrojtje të mjedisit, pozicionohet kundër dhunës dhe është në favor të një qeverie të vogël. Ndër të tjera, Partia Demokratike kërkon të ndryshohet politika e Italisë për tolerancë zero ndaj emigrantëve që kalojnë Detin Mesdhe, si dhe është gjithnjë në kundërshti me partitët populiste dhe ato nacionaliste. /Voa