Çfarë mund të kenë të përbashkët Barak Obama dhe Mitt Romney? Përveç faktit se janë të dy kandidatë për Shtëpinë e Bardhë nuk kanë asgjë tjetër të përbashkët do të mendonin shumë prej nesh. Por në të njëjtën kohë të dy duan të zbatojnë një reformë shëndetësore veçse me diferenca të theksuara. Dy politikanët i përkasin dy partive të ndryshme, vijnë nga rraca të ndryshme e po ashtu nga besime të ndryshme fetare. Ndërsa Obama u kthye në vitin 2008 në një simbol të shpresës dhe ndryshimit, Romney e ka përqendruar betejën e tij elektorale në thithjen e votuesve konservatorë. Po krahas këtyre dallimeve thelbësore ata kanë jo pak të përbashkëta. E përditshmja amerikane New York Times ka zbuluar  disa nga gjërat që i afrojnë kandidatët, të impenjuar në stadin final të një beteje që do të kulmojë në 6 nëntor.

Zakone të përbashkëta:Presidenti Obama dhe ish guvernatori i Massachusetts nuk janë vetëm fansa të serialit “Star Trek”, por në të njëjtën kohë ndjekin telefilmin e njohur “Modern Family”, të transmetuar në rrjetin ABC.

Kanë ndjekur shkolla private elitare: Të dy kandidatët në rininë e tyre nuk kanë frekuentuar shkolla publike. Ndërsa Romney ka studiuar tek shkolla prestigjioze e Miçiganit Cranbrook School, Obama ka frekuentuar në Hawai shkollën e njohur Punahou School.

Të diplomuar për juridik në Harvard: Si Romney ashtu edhe Obama kanë ndjekur kolegjin në Kaliforni. Romney vazhdoi Stanford University, ndërsa Obama ndoqi Occidental College. Të dy i mbaruan studimet bachelor në universitete të tjera; Brigham Young University për Romney and Columbia University për Obama. Pas kolegjit të dy kanë studiuar në fakultetin juridik në Harvard Law School, ndërkohë që Romney ka marrë gjithashtu aty edhe një diplomë në fakultetin e biznesit.

Humbje në fushatat e mëparshme: Në fillimet e karrierës së tyre politike Romney dhe Obama kanë humbur në betejat elektorale respective. Kështu Romney humbi në vitin 1994 përballë Ted Kennedy në garën për në senat në Massachusetts. Gjashtë vjet më vonë Bobby Rush mundi Obamën në Ilinois gjatë zgjedhjeve paraprake të demokratëve për në Kongres.

Ngjitja e shkallëve të karrierës: Pas fitoreve në betejat elektorale as Obama dhe as Romney nuk janë kënaqur me atë çfarë kanë arritur. Duket se fitorja në nivel lokal nuk i kënaqte, kështu që të dy hodhën sytë drejt fitoreve në rrafsh kombëtar. Romney ka qëndruar vetëm për një mandat si guvernator i Massachusetts, ndërkohë  Obama shërbeu vetëm për një mandat senator i Ilinois. Të dy i shtrinë ambiciet e tyre në nivel kombëtar.   

Të ndrojtur: Pjesa më e madhe e politikanëve nuk janë të ndrojtur, por duket se Romney dhe Obama e kanë të përbashkët këtë veçori. Ish guvernatori i Pensilvanisë Ed Rendell i tha të përditshmes New York Times se Obama and Romney janë pak a shumë të turpshëm, gjë që është diçka shumë surprizuese në botën e politikës.