AUSTRALI, 23 mars 2013- Një shtetas australian, i rrëmbyer 15 muaj më parë nga një grup i lidhur me Al Kaedën në Filipine, është liruar.

Në pamje të parë i dobësuar, Warren Rodwell u lirua ditën e shtunë në afërsi të qytetit Pagadian, në jug të Filipineve, kanë komunikuar autoritetet lokale. 

Ai ishte rrëmbyer nga militantët e grupit Abu Sayaf në vitin 2011 dhe për herë të fundit ishte shfaqur i gjallë në një video të postuar në një rrejet social në dhjetor. 

Aby Sayyaf konsiderohet lëvizja ekstremiste më e vogël por më radikale që vepron në jug të ishujve aziatikë. 

Ministri i Jashtëm australian, Bob Carr mirëpriti lajmin, duke thënë se lirimi kishte qenë rezultat i përpjekjeve të autoriteteve nga të dyja vendet. 

“Qeveria filipinase kishte rolin kryesor në këtë çështje dhe ajo meriton përgëzime për përpjekjet e palodhshme për lirimin e zotit Rodwell”, deklaroi ministra Carr. 

Ai shtoi se Rodwell është transferuar në një lokalitet të sigurtë dhe se fokusi tani është rekuperimi shëndetësor i tij. 

Australiani, që drejton një dyqan me bashkëshorten e tij në qytetin bregdetar të Filipineve, Ipil, ishte rrëmbyer në dhjetor të vitit 2011.