Minsku dhe qytete të tjera të Bjellorusisë u përfshinë nga dhuna e ashpër dhe protestat anti-qeveritare natën e të dielës pas mbylljes së kutive të votimit për zgjedhjet presidenciale.

Dhuna shpërtheu pas publikimit të rezultateve të para të këtyre zgjedhjeve, ku nuk mund të pritej tjetër rezultat, veç fitores së Aleksandër Lukashenkos. Ai pritet të drejtojë vendin edhe për 5 vitet e ardhshme, duke qenë figura e vetme që bjellorusët kanë parë si në krye të shtetit prej 26 vitesh, që pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik. Rezultatet paraprake e nxjerrin atë fitues me mbi 80% të votave.

Por rivalja e tij Svetlana Tikanovskaja foli për të tjera shifra pas mbylljes së kutive të votimit. Ajo shpalli fitoren duke publikuar të dhëna nga shumica e qendrave të votimit që tregonin epërsi, ndaj presidentit aktual. Rezultatet e disa sondazheve por edhe pjesëmarrja masive në protestat e orëve të fundit, tregojnë se fitorja e 80% të votave nuk është rezultat real për Lukashenkon.

I konsideruar si diktatori i fundit i Europës, Lukashenko paralajmëroi gjatë fushatës elektorale edhe rrezikun e një revolucioni të nxitur nga rusët, me të cilët duket se i ka ftohur marrëdhëniet vitet e fundit, duke shfaqur më tepër afeksion ndaj Bashkimit Europian.