Qeveria franceze ka marrë që nga nëntori masa të forta kundër prishësve të rendit e qetësisë. Por dhuna e së shtunës tregoi, se ato nuk mjaftojnë, theksoi presidenti Macron. Do të ketë vendime të forta shtesë, tha ai. Macron kishte ndërprerë një pushim për ski në Pirene dhe ishte kthyer të shtunën në Paris.

Në bulevardin Champs-Elysées, disa protestues me gurët e kalldrëmeve kanë qëlluar xhamat e dyqaneve, restoranteve dhe kafeneve. Sende të vjedhura u hodhën në barrikada që digjeshin, ndërkohë që dëgjoheshin thirrjet "revolucion" dhe "ky është apokalipsi". 11 vetë u lënduan. Sipas policisë franceze u ndaluan 200 vetë.

Ministri i Brendshëm, Christophe Castaner i cilësoi zjarrvënësit si vrasës. Disa pjesëmarrës në protesta me sa duket kanë ardhur për të shkatërruar. Sipas tij ka një grupim prej 1500 vetësh ultra të dhunshëm. 

Kjo ishte fundjava e 18-të me radhë e të ashtuquajturve "jelekët e verdhë" që protestojnë në të gjithë vendin kundër politikës së reformave të presidentit Emmanuel Macron. Së fundmi numri i protestuesve ka rënë ndjeshëm.