Presidenti francez Emmanuel Macron do të bëjë sot përpjekjen personale për të bindur “jelekëverdhët” të ndalin dhunën, pas 4 fundjavave protesta në gjithë vendin. Shefi i Elysee do të dalë në një konferencë për shtyp në darkë për të njoftuar, siç shkruajnë mediat franceze, lëshimet që do t’u bëhen protestuesve.

Macron pritet të shprehë rritjen e kufirit të pagës minimale, përshpejtimin e procedurave për heqjen e taksës për banesën si dhe rishikimin e moshës së daljes në pension. Këto janë edhe disa prej kërkesave bazë të protestuesve, të cilët akuzojnë qeverinë se ua ka bërë të papërballueshme koston e jetesës me reformat ekonomike.

Javën e kaluar qeveria franceze u tërhoq nga rritja e tatimit për karburantin, por jelekëverdhët nuk i ndalën protestat e dhunshme. Dëmi ekonomik, sipas ministrit të Brendshëm Bruno Le Mer, është katastrofik dhe do të ketë ndikim negativ afatgjatë në buxhet dhe turizëm.