Një varkë me 86 emigrantë është mbytur në bregdetin tunizian. Mësohet se deri më tani autoritetet kanë gjetur katër emigrantë, njëri prej të cilëve vdiq në spital. Ndërkohë, besohet se emigrantët e tjerë që ishin në varkë mund të kenë vdekur.

Lajmi është bërë i ditur nga zëdhënësi i Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin (IOM), Flavio Di Giacomo në Twitter.

“4 të mbijetuar janë shpëtuar dhe janë sjellë në Tunizi. Ata thanë se varka mbante 86 njerëz.ndërsa të tjerët besohet të kenë vdekur,” shkruan ai.

Anija ishte duke shkuar nga Libia në Itali. Libia ka qenë prej kohësh një rrugë kryesore tranziti për emigrantët, veçanërisht nga Afrika sub-Sahariane, të cilët mundohen të arrijnë në Evropë me ndihmën e trafikantëve.

Kujtojmë që në muajin maj 70 migrantë vdiqën, pasi barka e tyre u mbyt në qytetin bregdetar tunizian Sfax.