Angela Merkel u prit me nderime të mëdha në Pekin nga kryeministri Li Keqiang në fillimin e një vizite dy ditore që zhvillohet në kohën kur marrëdhënia e Gjermanisë me Kinën është më komplekse se kurrë. E shoqëruar nga një grup liderësh gjermanë të biznesit, kancelarja udhëtoi për të 12-tën herë drejt këtij vendi që kur mori postin nëntorin e vitit 2005.

Media shtetërore kineze e trumpetoi vizitën e saj si një shans të mirë për të forcuar marrëdhëniet dypalëshe. Xinhua madje shkruante se “ekziston një nevojë urgjente që Gjermania dhe Kina të mbrojnë një ekonomi të hapur globale".

Pritet që Merkeli gjatë kësaj ndalese të takohet dhe me presidentin Xi Jinping. Kina është një prej partnerëve më të mëdhenj tregtarë të Gjermanisë, dhe në 2017-tën ka blerë gati 100 miliardë dollarë të eksporteve gjermane. Por ajo është gjithashtu edhe një konkurrente e fortë përsa i takon tregtisë. Sipas ekonomistëve, Gjermania ndodhet në fillim të një recesioni, dhe pikërisht frika e një rënieje ekonomike mund të nxisë përpjekjet e Berlinit për marrëdhënie më të mira tregtare me Pekinin.