Zonat kufitare mes Turqisë dhe Greqisë po pësojnë një dyndje të emigrantëve nga rajoni i Lindjes së Mesme të cilët duan të kalojnë në perëndim.

Situata e raportuar nga mediat greke flet për turma refugjatësh nga Pakistani, Siria, Afganistani, Irani,  të cilët janë drejtuar në zonat detare të afërta me Greqinë e pikat tokësore kufitare.

Mbrëmja e së premtes dhe orët e para të mëngjesit të së shtunës kanë parë me qindra refugjatë të drejtohen në autobusë drejt Greqisë. Situata ka qenë tepër e ashpër në pikën kufitare tokësore Kastanies, në Evro të Greqisë ku rreth 3000 refugjatë, të të gjitha moshave, mes tyre dhe fëmijë, që kanë kaluar nga Adrianopolis drejt Kastanies janë bllokuar në zonën neutrale. Mes tyre dhe policisë ka patur përleshje ku refugjatët kanë qëlluar me gurë ndërsa policia është kundërpërgjigjur me gaz lotsjellës.

Kryeministri grek ka zhvilluar një mbledhje urgjente sot në orën lokale 09:00 me ministrat kryesorë të kabinetit qeveritar, ndërsa të Premten, Mitsotakis pati biseda telefonike me Presidentin Francez Emanuel Macron, Kancelaren gjermane Angela Merkel, Presidentin e Këshillit Evropian Charles Michel, Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe Kryeministrin Bullgar Boyko Borisov.

Në kufi tashmë kanë mbërritur edhe përforcime të ushtrisë greke të cilët kanë mundur të ndalojnë me forcë hyrjen e emigrantëve.