Donald Trump “nuk është më i rrezikshëm për transmetimin” e virusit te të tjerët, sipas mjekut të presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Sean Conley.

Ditën e shtunë presidenti bëri daljen e parë publike që prej shtrimit në spital pas infektimit me COVID-19. Ai mbajti një fjalim para mbështetësve të tij në Shtëpinë e Bardhë.

Megjithatë kishte shqetësime nëse ai mund të ishte ende transmetues pas qëndrimit tre-ditor në spital.

“10 ditë që nga nisja e simptomave, pa temperaturë prej më shumë se 24 orësh, në gjendje të mirë, tregojnë se nuk ka asnjë lloj virusi aktiv që po riprodhohet. Ndërkohë që testimet tregojnë një ulje të ngarkesës virale”, thuhet në njoftimin e mjekut.

Sidoqoftë, deklarata nuk thotë nëse Trump kishte dalë negativ në testet për Covid-19.

Ndërkohë që shumë virologë, të kontaktuar nga mediat amerikane, kanë arritur në konkluzionin se kreu i Shtëpisë së Bardhë është ende pozitiv me koronavirus.