Donald Trump shpalli “gjendjen e jashtëzakonshme” në kufi, gjë që do t’i lejojë atij përdorimin e fondeve të emergjencës për ndërtimin e murit të shumëdiskutuar në kufirin me Meksikën.

“Muri është i nevojshëm për të ndaluar krimet, drogën dhe një pushtim”, deklaroi shefi i Shtëpisë së Bardhë, që po kërkon një mënyrë për të shmangur paralizimin e administratës.

Mbyllja e fundit e pjesshme e qeverisë zgjati 34 ditë, më e gjata në historinë e Shteteve të Bashkuara.

“Ndërtimi i murit nuk bëhet vetëm sepse është premtim fushate, por sepse është i domosdoshëm për shkak të fluksit të drogave që kalojne në kufirin tonë jugor. Kemi një pushtim nga drogat, kemi një pushtim nga njerëzit dhe kjo është e papranueshme”, tha Trump.

Me këtë lëvizje, Trump praktikisht anashkalon Kongresin që po ia bllokonte fondet e murit.