NASA ka prezantuar kostumet e reja hapësinore që do të vishen nga gruaja e parë që do të shkelë në hënë. Kostumi i gjeneratës së re ishte bërë për programin Artemis, që synon të ulë në tokën hënore gruan e parë dhe po ashtu edhe astronautin mashkull të radhës, deri në 2024. 

Veshja është e projektuar për të eksploruar sipërfaqen hënore, veçanërisht polin jugor, që është edhe objektivi i NASA-s për uljen e ardhshme të një ekuipazhi në hënë. Kostumi mund të përshtatet për përmasat trupore të çdo astronauti. Ai është më fleksibël se kostumet e deritanishme, ç’ka i lejon astronautët të lëvizin më lirshëm.

Kostumi mund të përballojë ndërkohë një temperaturë që varion nga -150 gradë celcius në 120 gradë celcius. Ndërsa prototipi i dytë, ngjyrë portokalli, do të përdoret nga astronautët kur të nisen në hapësirë me kapsulën Orion dhe të kthehen në tokë.