21 Marsi për amerikanët, shënon ditën e parë të pranverës dhe pritjen e një stine me diell, por këtë herë duket se i ngrohti do të vonojë paksa, pasi disa shtete amerikane janë zbardhur krejtësisht nga dëbora.

Temperaturat e pazakonta për këtë periudhë të vitit kanë zënë në befasi njujorkezët. Metropoli amerikan është përfshirë nga një stuhitë të ftohti me temperatura rekord që shkuan edhe nën zero në orët e natës. Më shumë se 2300 fluturime janë anuluar në Nju Jork, ndërsa autoritetet urdhëruan mbylljen e një numri të konsiderueshëm shkollash.

Jo vetëm bregu lindor i SHBA-ve, por edhe ai perëndimor u përfshi nga acari i pazakontë që zbardhi disa shtete, mes tyre edhe Uashingtonin.

Edhe në Europa po përballet me mot të paqëndrueshëm. Mediat britanike shkruajnë se vendi ishullor do të përballet me stuhinë e fundit që do të sjellë e ashtuquajtura “bisha nga lindja”, me temperaturat që do të shkojnë sërish nën zero.

Italia gjithashtu është zbardhur nga dëbora. Në qytetin e Potenza-s në jug të vendit, shkollat janë mbyllur deri në një lajmërim të dytë. Thuajse i gjithë jugu i Italisë është mbërthyer nga i ftohti i pazakontë, duke vënë në alarm autoritetet dhe ekipet e emergjencave.