Sipas Kombeve të Bashkuara, një e treta e të gjitha grave dhe vajzave në botë përjetojnë dhunë fizike ose seksuale gjatë jetës së tyre. Sipas tyre, gjysma e grave të vrara në të gjithë botën, kanë pësuar nga partnerët ose familja.

Të dhënat u publikuan këtë të hënë, në Ditën Ndërkombëtare për Eleminimin e Dhunës ndaj Grave. Sipas raportit, numri i saktë i përdhunimeve dhe sulmeve seksuale është vështirë të dihet për shkak të frikës së shpeshtë të viktimave që t’i raportojnë ato, shkruan REL.

Megjithatë, thekson raporti, rreth 15 milionë vajza adoleshente në të gjithë botën kanë pasur marrëdhënie intime të detyruar në një moment të jetës së tyre.

“Dhuna ndaj grave dhe vajzave është ndër shkeljet më të përhapura dhe më shkatërruese të të drejtave të njeriut, por shumë shpesh nuk raportohet për shkak të pandëshkueshmërisë, turpit dhe pabarazisë gjinore”, theksojnë Kombet e Bashkuara.