Gati 600 lloje bimësh janë zhdukur gjatë 250 viteve të fundit, një nivel ky dy herë më i lartë se ai specieve të zhdukura në radhët e shpendëve, gjitarëve dhe zvarranikëve të marra së bashku.

Në studimin më të fundit, shkencëtarët thonë se zhdukja e bimësisë po ndodh me një ritëm 500 herë më të shpejtë nga sa duhet të pritej në mënyrë të natyrshme.

Në muajin maj, një raport i OKB-së dilte në përfundimin se një milionë lloje bimësh e kafshësh kërcënoheshin nga zhdukja, dhe kërcënimi numër një për këto specie, është njeriu!

Në mesin e bimëve të zhdukura ka dhe nga ato që shfrytëzohen për vajrat esenciale. Humbjet janë regjistruar kryesisht nëpër ishuj e zona tropikale, ku diversiteti i bimësisë është edhe më i madh se në vende të tjera.

E gjithë jeta në tokë varet pikërisht nga bimët përgjegjëse për oksigjenin që thithim dhe ushqimet që hamë. Zhdukja e tyre mund të çojë drejt një zinxhiri zhdukjesh të organizmave të tjerë që varen prej tyre, duke nisur nga insektet që i përdorin për ushqim e për të lëshuar vezët, ndërsa nga mbijetesa e bimëve varen edhe vetë njerëzit.