Policia e Mesinës ka kryer një operacion të gjerë kundër mafias në Sicili, që kishte përvetësuar që nga viti 2013 rreth 10 milionë euro fonde të Bashkimit Evropian të destinuara për fermerët.

Në total janë arrestuar 94 persona, 48 janë dërguar në burg, të tjerët janë në arrest shtëpie. Mes të arrestuarve janë bosat e dy familjeve të mafias, një noter, sipërmarrës dhe administratorë publikë që kishin si detyrë të ndihmonin fermerët të kishin akses te këto fonde.

Abuzuesit pretendonin në mënyrë të rreme se zotëronin ngastra toke që në të vërtetë ishin në pronësinë e rajonit dhe këshillave lokale, duke kanalizuar kështu në xhepat e tyre fondet e BE-së.

Në mashtrim kanë luajtur rol edhe punonjësit e një agjencie publike për pagesat bujqësore që shpërndan fondet e fermerëve dhe ata që punonin për qendrat e asistencës të ngritura për të ndihmuar fermerët në shfrytëzimin e këtyre fondeve.