Vala e të nxehtit afrikan e mbiquajtur ‘Lucifer”, që prej gati dy javësh po përcëllon Europën, po ia lë vendin stuhive “biblike” që po derdhen nga qiejt. Spanja, Gjermania, e Polonia ditët e fundit janë goditur nga reshjet e fuqishme të shiut, pasi u përballën me temperaturat ekstreme mbi 40 gradë celsius.

Ishulli i Ibizës u godit nga të paktën 3 mijë rrufe në vetëm 3 orë gjatë ditës së mërkurë, me më shumë se 20 mm shi që ra në 1 orë të vetme.

Vala e të nxehtit të shkaktuar nga “Lucifer” bëri që ajri i nxehtë të “përplasej” me atë të ftohtë në lartësi duke bërë që avujt e ujit të kondensoheshin e të formonin re të mëdha stuhie, duke çuar në rrebeshe.

Moti kaotik ka shkaktuar gjithashtu breshër shkatërrues në Spanjë, ndërsa Shqipëria dhe Greqia mbeten nën pushtetin e flakëve.

E përditshmja britanike “The Sun” ka bërë një përmbledhje të fotografive të shkrepura në shtete të ndryshme nëpër Europë, për të përcjellë kushtet sa të çuditshme aq edhe ekstreme të motit nëpër kontinent.