Të paktën 8 persona janë vrarë dhe rreth 40 të tjerë rezultojnë të humbur, si pasojë e një tërmeti të fuqishëm që goditi ishullin verior të Japonisë, Hokkaido.

Tërmeti me magnitudë 6.7 ballë ndërpreu energjinë elektrike në rreth tre milionë shtëpi pasi impianti qëndror pësoi dëmtime. Tërmeti vjen pas tajfunit vdekjeprurës “Jebi”, i cili goditi Japoninë pak ditë më parë. Ai ishte tajfuni më i fuqishëm gjatë 25 viteve të fundit, që la të vdekur të paktën 10 njerëz dhe shkaktoi dëme masive.

Lëkundjet e tërmetit ndodhën në orët e para të mëngjesit në jug-lindje të kryeqytetit Sapporo. Sipas agjencisë meteorologjike të vendit, nuk paraqitet rrezik për tsunami.

Japonia është një nga vendet më sizmike në botë, ku ndodhin rreth 20% të tërmeteve në mbarë botën me magnitudë 6.0 ose më shumë.