Rusia ka nisur tërheqjen e disa trupave të saj nga Siria, tha ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar tërheqjen e pjesshme gjatë një vizite të paparalajmëruar në Siri, që ka realizuar të hënën.

Mbështetja ruse ka qenë e rëndësishme për kthimin e luftës civile në Siri në favor të forcave qeveritare, të udhëhequra nga presidenti Bashar al-Assad.

Putin ka urdhëruar tërheqje të ngjashme të trupave edhe vitin e kaluar, por operacionet e ushtrisë ruse kanë vazhduar.

I pyetur se sa kohë do t’i duhet Rusisë për tërheqjen e kontingjentit të saj ushtarak, ministri rus i Mbrojtjes, Shoigu, tha se “kjo do të varet nga situata në Siri”.

Lufta civile në Siri ka nisur qysh në vitin 2011. Rusia ka nisur fushatën e sulmeve ajrore kundër, siç ka thënë, terroristëve në vitin 2015. Qysh atëherë, Moska ka rritur edhe praninë ushtarake në terren. /REL/