Pasojat që shkaktoi tajfuni Mangut në Filipine, ishin 65 persona qe humbën jetën e qindra të tjerë qe u plagosën si pasojë e stuhisë së shirave.

Mes viktimave janë 33 minatorë. Rrëshqitjet masive të tokës që shkaktoi tajfuni i zunë brenda në një minierë. 29 të tjerë rezultojnë të zhdukur. Autoritetet vendase druhen se bilanci me gjasë mund t’i kalojë 100 viktimat.

Tajfuni Mangut, më i fuqishmi i dekadave të fundit në rajon, shkaktoi dëme të mëdha edhe në Hong Kong e në jug-perëndim të Kinës, ku numërohen të paktën 3 viktima.

Mbi 3 milionë qytetarë që jetojnë në një provincë kineze u urdhëruan të largoheshin nga banesat.

Emergjente situata mbetet ende në SHBA, ku uragani Florens, i kthyer në stuhi tropikale mbuloi me ujë Uilmingtonin, në Karolinën e Veriut. Kontakti tokësor me pjesën tjetër të vendit është shkëputur, duke e kthyer në një ishull qytetin bregdetar.

Aktualisht numërohen të paktën 18 viktima, ndërsa mbi 400 të tjerë janë shpëtuar nga ekipet e emergjencave.