Mijëra doza të vaksinës të Modernës kundër COVID-19,  u shkatërruan pasi një pastrues në Boston hoqi aksidentalisht nga priza frigoriferin në të cilin vaksinat po ruheshin.

“Të martën, 19 janar 2021, stafi i Farmacisë VA Boston zbuloi se një frigorifer në kampusin Jamaica Plain dështoi. Si rezultat, 1,900 doza të Modernes të ruajtura në frigorifer u prishën”, tha Kyle Toto, specialist i çështjeve në sistemin shëndetësor, raporton mediet amerikane.

Dozat e vaksinës Moderna duhet të qëndrojnë në mjedise me temperaturë -13 dhe 5 gradë, sipas Qendres për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve. Më pas ato mund të mbahen të ngrira ose të ruhen në një frigorifer, deri në 30 ditë para përdorimit.

Kyle Toto, specialisti i çështjeve në sistemin shëndetësor tha: “vendi i mbajtjes së vaksinave ishte i sigurt dhe kishte të instaluar një sistem alarmi, i cili nuk funksionoi siç duhet në momentin e incidentit. Priza u gjet e lirë pasi një sanitar e hoqi aksidentalisht atë gjatë pastrimit.”

Ndërkohë, autoritetet po hetojnë pse sistemi i alarmit nuk funksionoi ashtu siç duhej.