“Demokracia vazhdon të funksionojë, madje edhe me mjete të reja.” Me këto fjalë, Presidenti i Parlamentit Europian David Sassoli njoftoi vendimin e konferencës së presidentëve për të mbajtur një seancë të jashtëzakonshme plenare të Parlamentit Europian më 16 dhe 17 prill.

“Të gjitha organet e Parlamentit Europian janë duke punuar për të trajtuar emergjencën Covid-19. Dhe të gjithë janë në gjendje të mblidhen, të marrin pjesë, të debatojnë, të propozojnë dhe të votojnë”, thotë Sassoli në një videomesazh.

Seanca plenare e Parlamentit Europian është e gatshme të votojë mbi “çdo propozim legjislativ ose buxhet të përgatitur në kohë nga Komisioni Evropian për të adresuar më tej situatën aktuale”.

Nw seancën plenare do të votojë për masat e reja të marra nga Komisioni Evropian për t’u përballur me urgjencën shëndetësore dhe për të diskutuar dhe azhurnuar qëndrimin e Parlamentit se si të merren me “këtë katastrofë”. Seanca do të zhvillohet në Bruksel, në vend të Strasburgut – si të gjitha seancat plenare të planifikuara midis tani deri nw shtatorit, sipas të njëjtave modalitete telematike, të parashikuara në seancën e fundit të 26 Marsit.

“Europa po reagon, ajo tregon fuqinë e veprimit të saj dhe shumë më tepër do të bëhet veçanërisht nëse merrni pjesë me ne në luftën për të mposhtur këtë virus,” vazhdon presidenti. Për të ndihmuar në luftimin e pandemisë, Parlamenti Evropian u ka ofruar autoriteteve të Brukselit, nëse është e nevojshme, një qendër të kujdesit për pacientët dhe një flotë prej 100 automjetesh. “Ne jemi të gatshëm të bëjmë të njëjtën gjë për zyrat e Luksemburgut dhe Strasburgut nëse do të kenë nevojë”, siguron Sassoli.

“Ne jemi Europë, forca jonë quhet solidaritet”, përfundon Sassoli./ Euronews.al