Përleshjet në Gaza, Këshilli i Sigurimit bën thirrje për qetësi

Postuar: 15/05/2018 - 22:24

    Në një takim emergjent të së martës, Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara bëri thirrje për qetësi përgjatë kufirit të Rripit të Gazës me Izraelin, pas përplasjeve vdekjeprurëse të së hënës ku mbetën dhjetëra palestinezë të vdekur, teksa protestonin kundër njohjes nga Shtetet e Bashkuara të Jeruzalemit si kryeqytet të Izraelit dhe kundër hapjes së Ambasadës amerikane atje.

“Për popullin e Gazës, e djeshmja ishte një ditë tragjike”, tha koordinatori special i OKB-së për procesin e paqes në Lindjen e Mesme, Nickolay Mladenov, teksa informoi Këshillin e Sigurimit.

Sipas raportimeve – tha më tej ai, – të paktën 60 persona (përfshi 6 fëmijë) u vranë dhe mbi 1.300 të tjerë u plagosën të hënën në enklavën palestineze të pushtuar nga Izraeli, ushtarët e të cilit qëlluan me armë zjarri, plumba gome dhe përdorën gaz lotsjellës ndaj protestuesve që ishin mbledhur përgjatë perimetrit të gardhit kufitar.

“Izraeli ka përgjegjësi të madhe në kalibrimin e përdorimit të forcës, mbi të gjitha për mospërdorimin e forcës vdekjeprurëse për sa kohë që nuk do të ishte e vetmja zgjidhje në duart e tij, nëse do të ndihej përpara një kërcënimi të pashmangshëm për vdekje apo plagosje të rëndë të shtetasve të tij”, deklaroi Mladenov. “Shteti hebre duhet të mbrojë kufijtë e tij nga infiltrimi i të padëshiruarve apo terrorizmi, por duhet ta bëjë në raport proporcional”.

Ai i bëri thirrje gjithashtu Hamasit, grupit të militantëve islamikë që kontrollojnë Rripin e Gazës, të mos i përdorin protestuesit si diversion për të kryer sulme të dhunshme ndaj kufirit izraelit, apo për të provokuar forcat izraelite. “Militantët e Hamasit nuk duhet të fshihen mes demonstruesve e të rrezikojnë jetët e civilëve të pafajshëm”, tha ai.

Demonstratat, të cilat organizatorët i kanë pagëzuar me emrin “Marshi i madh i rikthimit” nisën më 30 mars e kulmuan këtë të martë në përvjetorin e asaj që palestinezët e quajnë “al-Nakba” (Katastrofa), përmes së cilës përkujtojnë zhvendosjet masive të popullit palestinez gjatë luftës së viteve 1948-’49, që çoi deri në themelimin e shtetit të Izraelit.

Mladenov theksoi se, si pjesë e marshimit dhe për të protestuar zhvendosjen e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara nga Tel Avivi në Jeruzalem, rreth 35 mijë palestinezë demonstruan përgjatë kufirit në Gaza dhe qindra të tjerë iu bashkuan protestave në qytetet e Bregut Perëndimor, Ramallah, Bethlehem, Hebron, Jericho, Nablus dhe Jeruzalmi Lindor. Por, nga këto qytete nuk është raportuar asnjë viktimë.

Zyrtari i OKB-së tha gjithashtu se Hamasi dhe militantë të tjerë islamikë janë përfshirë në akte të dhunshme dhe provokuese, përfshi vendosjen e pajisjeve të improvizuara shpërthyese në gardhin kufitar, që do të mund të shpërthenin nëse një automjet ushtarak izraelit do të kalonte mbi to.

Forcat izraelite të sigurisë, sipas tij, kanë ndërmarrë 18 sulme ajrore dhe kanë hapur zjarr në drejtim të 26 objektivave të Hamasit, në kundërpërgjigje të akteve të dhunshme.

“Ky cikël dhune në Gaza duhet të marrë fund, e nëse nuk ndodh kështu, atëherë do të shpërthejë më shumë e do të përfshijë këdo në rajon në një tjetër konfrontim vdekjeprurës. Komuniteti ndërkombëtar duhet të hidhet në veprim e të parandalojë një tjetër luftë”, theksoi ai.

Gjatë debatit që pasoi, ambasadorja e SHBA në OKB, Nikki Haley tha se dhuna ishte përhapur jo thjesht në Gaza, por anembanë Lindjes së Mesme dhe në mbrojtje të Izraelit deklaroi se “standardet e dyfishta po bëhen gjithnjë e më të zakonshme në këtë dhomë (KS) duke kaluar caqet”.

Ajo u shpreh se Këshilli i Sigurimit duhej të ekzaminonte rolin e Iranit në sulmet e fundit ndaj pozicioneve izraelite në Lartësitë Golan dhe raketat e lëshuara nga forcat të paautorizuara iraniane në Jemen dhe Arabi Saudite, duke shtuar se terroristët e Hamasit, të mbështëtur nga Irani, kanë nxitur sulmet kundër forcave izraelite të sigurisë dhe infrastrukturës ushtarake të vendit hebre.

Haley mbrojti faktin se, zhvendosja e Ambasadës së SHBA-ve në Jeruzalem reflekton “realitetin”, pasi ai ka qenë kryeqytet i Izraelit që prej themelimit të shtetit, duke qenë edhe kryeqyteti antik i popullit hebre.

Ndërkohë, pjesëtarët europianë të Këshillit të Sigurimit bënë thirrje në mënyrë unanime për një marrëveshje të negociuar mes izraelitëve dhe palestinezëve mbi statusin e Jeruzalemit.

Ndërsa ambasadori i Izraelit në OKB, Danny Danon deklaroi se Izraeli është tërhequr nga Gaza që prej vitit 2005, por shtoi se enklava palestineze nuk ka arritur kurrë potencialin e saj, pikërisht sepse atë e sundon Hamasi që prej zgjedhjeve të vitit 2006. “Në vend që të investojnë në arsimim, infrastrukturë dhe ekonomi, grupi në fjalë ka shpenzuar të gjitha burimet e tij në terrorizimin e Izraelit”, tha ai, duke drejtuar më pas gishtin nga komuniteti ndërkombëtar se, me përjashtim të ndonjë rasti, nuk ka bërë asgjë për të frenuar palestinezët nga terrorizimi i Izraelit. /tch

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Zyrtarët në Meksikë kanë nisur hetimet pasi një kamion i mbushur me 157 kufoma njerëzisht është gjetur i braktisur në një fushë.

   Ish-kryeministri i Malajzisë, Najib Razak u arrestua sot dhe pritet të fajësohet në kuadër të hetimit që hedh dyshime për përvetësimin

   “Ka qenë takimi më i keq i jetës time”.

Një gjykatë turke ka lënë në burg deri në ditën e gjyqit 24 persona, të cilët protestuan javën e kaluar mbi kushtet e punës në aeroportin

Një modele ruse pretendon se Presidenti i Rusisë Vladimir Putin ka tentuar ta helmojë me bar miu.

   Një video e Presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro, që drekon në një restorant klasi në Turqi, ka shkaktuar jo pak zemërim në Venez

   Presidenti amerikan, Donald Trump ka akuzuar të martën Kinën për tentim të ndikimit në zgjedhjet për Kongres, që mbahen në muajin nënt

Gjykata Supreme e Afrikës së Jugut ka legalizuar përdorimin e kanabisit nga të rriturit në vende private.

Një avion ushtarak rus me 14 persona në bord është zhdukur nga radarët pasi ka fluturuar në Siri. “Kemi humbur kontaktin me ekuipazhin e

Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan pranoi një avion luksoz prej 400 milionë dollarësh nga emiri i Katarit javën e shkuar, duke shkaktuar