Italia do të shpallë gjendje të jashtëzakonshme pasi qyteti i Venecias u përfshi nga nivelet e larta të ujit prej 1.87 metra, duke përmbytur bazilikën e tij historike dhe duke shkaktuar ndërprerje të energjisë.

Më shumë se 80% e qytetit, i cili gjenden në listën e UNESCO-s për trashëgiminë botërore është nën ujë si pasojë e përmbytjeve. Kryeministri i Italisë, Giuseppe Conte e përshkroi përmbytjen si një goditje në zemrën e vendit ndërsa tha se qeveria tani do të veprojë shpejt për të siguruar fonde dhe burime.

“Në Këshillin e Ministrave do të shpallim gjendje të jashtëzakonshme. Do të miratojmë dekretin për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme. Na është kërkuar nga Presidenti i Rajonit. Kjo gjë do të na lejojë të fillojmë alokimet e para financiare sa i përket shpenzimeve të ndihmës së parë dhe kanë për qëllim rikthimin e funksionalitetit të shërbimeve. Për sa i përket restaurimit të dëmeve ekzistojnë dy faza: e para do të na lejojë të dëmshpërblejmë individët dhe operatorët tregtarë, deri në një kufi prej 5 mijë dhe 20 mijë euro përkatësisht. Këto para mund të arrijnë menjëherë. Kushdo që ka dëmtime më thelbësore do të përcaktohen në mënyrë më të qetë dhe mund të likuidohen”. ka thënë Conte.