Filadelfia në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është përfshirë nga protestat e dhunshme dhe plaçkitjet pas vrasjes së një burri me ngjyrë nga policia.

Mijëra qytetarë kanë dalë në rrugë dhe kanë protestuar, duke u përplasur dhunshëm me forcat e rendit. E marta ka qenë dita e dytë e protestave, e cila zhvillohet për më shumë të drejta racore.

E gjithë zhurma erdhi pas vrasjes së një burri me ngjyrë, i cili sipas familjes së tij kishte çrregullime mendore, por policia qëlloi disa herë mbi të pasi ai lëvizte me thikë në dorë dhe nuk e lëshonte atë.

Familja e Walter Wallace, 27 vjeç, shprehet se ai nuk do i bënte keq askujt, por nuk i është përgjigjur policisë, pasi ka qenë në krizë të shëndetit mendor.

Tashmë në të gjithë Filadelfian në gatishmëri është dhe Garda Kombëtare, pasi në protestën e dhunshme një natë më parë janë lënduar 30 efektivë.