Presidenti Trump nënshkruan urdhrin ekzekutiv për kompanitë e mediave sociale

29/05/2020 - 07:38

Duke përshkallëzuar luftën e tij me kompanitë e mediave sociale Presidenti Donald Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv të enjten që sfidon mbrojtjen ndaj detyrimeve ligjore që këto kompani kanë për materialet e postuara nga përdoruesit e tyre.

Megjithatë, masa duket se ka të bëjë më shumë me politikën sesa substancën, pasi presidenti kërkon të mbledhë pas vetes mbështetësit e tij pasi ai sulmoi Twitter-in për aplikimin e konceptit të kontrollit të fakteve në dy nga postimet e tij.

Presidenti Trump tha se kontrollet e fakteve ishin “vendime editoriale” nga Twitter dhe kishin të bënin me një aktivizëm politik. Ai tha se kjo lëvizje do t’u kushtojë kompanive të mediave sociale mbrojtjen nga paditë për ato që janë postuar në platformat e tyre.

Trump, i cili personalisht mbështetet shumë tek Twitter-i për të sulmuar armiqtë e tij, ka akuzuar prej kohësh gjigantët e teknologjisë në Silicon Valley që anojnë nga liberalët, se po vënë në shënjestër konservatorët duke i kontrolluar ose duke hequr postimet e tyre.

Masa udhëzon agjencitë e degës ekzekutive të kërkojnë nga agjenci të pavarura që hartojnë rregullore, përfshirë Komisionin Federal të Komunikimit dhe Komisionin Federal të Tregtisë, të studiojnë mundësinë nëse ata mund të vendosin rregullore të reja për kompanitë – megjithëse ekspertët shprehin dyshime se kjo mund të bëhet pa një akt të Kongresit.

Kompanive si Twitter dhe Facebook u jepet mbrojtje nga përgjegjësitë ligjore në bazë të nenit 230 të Aktit për Komunikimin e Qytetëruar sepse ato trajtohen si “platforma” dhe jo “botues”, të cilët mund të përballen me padi mbi përmbajtjen që publikojnë.

Një urdhër i ngjashëm ekzekutiv ishte konsideruar më parë nga administrata, por ishte lënë mënjanë mes shqetësimeve se nuk plotësonte detyrimet ligjore dhe shkelte parimet e lirisë së fjalës.

Trump dhe fushata e tij reaguan pasi kompania Twitter shtoi një frazë paralajmëruese në dy postime të presidentit Trump ku ai i quante votimet me postë “mashtruese” dhe parashikuante se “kutitë postare do të grabiteshin”. Nën postimet në Twitter, tani ekziston një hallkë ku lexohet “Njihuni me faktet për votimet me postë” që i udhëzon përdoruesit në një faqe me kontrolle faktesh dhe lajme mbi njoftimet mbi pretendimet e pabazuara të Trump.

Presidenti Trump akuzoi Twitter-in për ndërhyrje në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020″ dhe deklaroi se “si president, unë nuk do të lejoj që kjo të ndodhë”.

Presidenti dhe konservatorë të tjerë kanë pohuar, për vite me rradhë, se kompanitë e teknologjisë në Silicon Valley janë treguar paragjykues ndaj tyre.

Por nuk ka asnjë provë për këtë – dhe ndërsa drejtues dhe shumë punonjës të Twitter-it, Facebook-ut dhe Google-it mund të anojnë nga liberalët, kompanitë kanë theksuar se nuk kanë asnjë interes të biznesit për të favorizuar një parti politike ndaj të tjere.



REAGIMET

Marcus Messner, ekspert për mediat në Universitin e Komonuelthit të Virxhinias i tha Zërit të Amerikës se “kompanitë e mediave sociale prej vitesh luftojnë kundër përhapjes së dezinformatave dhe për nevojën e verifikimit të fakteve, sidomos gjatë zgjedhjeve të fundit presidenciale.”

“Twitter ka të drejtë të vënë në dukje informacionet që janë të pasakta, edhe kur kjo ka të bëjë me tweete të Presidentit Trump,” tha profesor Messner.

Profesori i gazetarisë vuri në dukje se hapi i ndërmarrë nga Twitteri prek linjën delikate “mes verifikimit të fakteve dhe rrezikut se mund të akuzohesh për censurim të fjalës politike me veprime më drastike, si fshirja e postimeve apo pezullimi i llogarive.”

Profesor Messner tha se çështja që shtrohet është: “nëse u shton postimeve një link për verifikim faktesh që të çon tek shkrime të ndryshme të mediave, a do të pranoheshin ato nga mbështetësit e Presidentit Trump, të cilët regullisht i mohojnë raportimet e mediave të mëdha?”

Efekti i veprimeve të tilla në këtë atmosferë të ndezur partiake do të ishte i kufizuar, thotë profesori.

Shefi ekzekutiv i firmës Twitter Jack Dorsey tha në faqen e internetit të kompanisë se tweetet e presidentit “mund t’i bëjnë njerëzit të mendojnë gabimisht se ata nuk kanë nevojë të regjistrohen për të marrë një fletëvotimi me postë. Synimi ynë është të sqarojmë deklarimet konfliktuale dhe të japim informacionet për të cilat ka debate, në mënyrë që njerëzit të mund të gjykojnë vetë.”

Steve DelBianco, president i NetChoice, një grup komercial që ka në klientelën e tij edhe kompanitë Twitter, Facebook dhe Google, tha se “presidenti është duke shkelur Amendamentin e Parë të Kushtetutës, duke kërcënuar të drejtat themelore të fjalës së lirë për platformat e mediave sociale”. Ky hap i administratës “i nxit qeveritë e huaja të kontrollojnë lirinë e shprehjes në internet,” tha ai në një deklaratë të enjten./VOA

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Më shumë se 35 mijë persona kanë vdekur nga Covid-19 në Meksikë.

Në Poloni kanë dalë rezultatet e para të Exit Polleve për zgjedhjet presidenciale.

Florida raportoi të dielën një rritje rekord me më shumë se 15 mijë raste të reja me COVID-19 brenda 24 orësh.

Shifrat e vdekjeve në Itali prej COVID-19 vijojnë të jenë të ulëta, ku gjatë 24 orëve të fundit kanë ndërruar jetë 9 persona dhe kanë rez

Papa Françesku, përkundër asaj që pritej, ka komentuar ngjarjen që po bën shumë bujë në Turqi.

Shtetet e Bashkuara kanë shënuar një rekord të ri prej 66 mijë rastesh të reja me koronavirus të shtunën.

Në Kroaci, së shpejti do të fillojë dhurimi vullnetar i plazmës së gjakut nga personat që e kanë mbijetuar sëmundjen COVID-19, të cilën e

Rritja e numrit të të infektuarve ka shtuar frikën e rikthimit të një vale të dytë të Covid-19.

Në Gjermani policia ka ende një reputacion relativisht të mirë, por Këshilli i Evropës shprehet për racizëm të përhapur dhe institucional

Presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, tha dje se vendimi i vendit të tij për statusin e Ajasofjas ka të bëjë me të dr