Punonjësi i një hoteli në Kaliforni ka parandaluar një sulm masiv mbi popullsinë civile pasi raportoi se një koleg i tij i pakënaqur kishte kërcënuar se do të qëllonte me armë zjarri stafin dhe klientët.

Me të marrë raportimin oficerët e policisë së Los Angeles arrestuan burrin 37-vjeçar i cili u zbulua se kishte armë dhe municion të një fuqie të lartë në shtëpinë e tij.

Rodolfo Montoya ja kishte bërë kërcënimin të ditur kolegut të tij në një hotel Marriot afër aeroportit Long Beach.

Policia bëri të ditur se kishte sekuestruar në shtëpinë e të ndaluarit në Huntington Beach disa armë zjarri, përfshi një pushkë, qindra fishekë dhe pajisje të tjera që do të ndihmonin në rast të një sulmi. Lloji i pushkës dhe municionet e kalibrit të lartë ishin të jashtëligjshme në Kaliforni thuhet në një deklaratë të autoriteteve.

Hetimet paraprake tregojnë se 37-vjeçari Montoya ishte nervozuar nga problemet me burimet njerëzore thotë deklarata e policisë.

Kjo ngjarje vjen pas sulmeve në El Paso dhe Dayton ku mbetën të vrarë 31 persona. Nga ana tjetër FBI ka ndërmarrë një operacion të gjerë për të parandaluar sulme të tilla. Që prej të shtënave të disa javëve më parë ata thonë se kanë parandaluar një sërë komplotesh për sulme të cilat kanë pasur në shënjestër grupet e pakicave.