Policia franceze nisi kontrolle masive në disa impiante të menaxhuara nga kompania e produkteve të bulmetit “Lactalis”, si pjesë e një hetimi për qumështin e kontaminuar të bebeve.

Më shumë se 12 milionë kuti me qumësht pluhur janë tërhequr nga dyqanet në 83 vende, pas një epidemie salmonele.

Paditë penale nuk kanë munguar gjithashtu nga prindër që thanë se fëmijët e tyre u sëmurën pasi pinë këtë qumësht.

Veç selisë qendrore të “Lactalis”, policia kontrolloi edhe impiantin në Craon, në veriperëndim të Francës. Kjo fabrikë ishte mbyllur që muajin e shkuar, pasi dyshohet se pikërisht këtu nisi ndotja e qumështit në një prej kullave të saj të tharjes.