Regjistrohet rasti i parë i prekjes me koronavirus në Barcelonë dhe në Zvicër.

Një grua që kthehej nga veriu i Italisë është konfirmuar si spanjollja e parë që preket nga COVID-19. Lajmin e ka konfirmuar Departamenti i Shëndetit të Barcelonës, ndërkohë që ky është rasti i katërt i regjistruar në Spanjë pas atyre të dy turistëve në ishujt Kanarie dhe njërit në Majorka.

Rasti i parë i koronavirusit është regjistruar edhe për Zvicrën. Sipas Zyrës Federale të Shëndetësisë, pacienti i konfirmuar është shtruar në spitalin e kantonit të Tiçinos.

Më herët, kryeministri kroat, Andrej Plenkoviç bëri të ditur se Kroacia kishte regjistruar rastin e parë të infektimit me koronavirus, një mashkull në moshë të re i cili është shtruar në një spital të Zagrebit në gjendje të qëndrueshme.

Ndërkohë në Bullgari dyshohet se dy persona mund të jenë prekur nga virusi. Ata sapo janë kthyer nga Milano dhe po mbahen në karantinë në qytetin Burgas.

Në Europë, Italia ka numrin më të madh deri tani të rasteve të konfirmuara me koronavirus. Sipas autoriteteve numri i të infektuarve ka arritur në 312, ndërsa viktimat janë 7. Rajonet më problematike janë ato veriore, por diten e sotme është regjistruar edhe rasti i parë në jug të vendit.