“Rusia është armiku ynë gjeopolitik numër një”, deklaroi gjatë fushatës, por kjo duket se nuk e ka penguar kandidatin republikan Mitt Romney që të investonte në kompanitë ruse “Gazprom” dhe “Yandex”. 

Lajmin e bën të ditur edicioni rus i BBC, që citon deklaratën e të ardhurave të rivalit të Barack Obama për qeverisjen e Shteteve të Bashkuara. Vitin e kaluar, kompania “Equity Fund” e Romney bleu mbi 1 mijë aksione të kolosit shtetëror rus të gazit dhe të motorit rus të kërkimit. Megjithatë, sipas burimit, më vonë kandidati republikan i shiti aksionet në fjalë pasi regjistroi një seri humbjesh. 

Pak ditë më parë Romney publikoi të dhënat e tij për taksat e paguara gjatë vitit 2011, të cilat treguan se derdhi në arkat e shtetit 14.1% të fitimeve të tij personale. Të dhënat e publikuara nga republikani treguan se ai pagoi në taksa në vitin 2011 një total prej 1.9 milionë dollarësh, nga 13.7 milionë dollarë të pasurisë së tij.