Numri i vdekjeve nga koronavirusi në Britani shënoi sot rritjen më të madhe duke regjistruar në total 578 viktima, nga të cilët 113 në 24 orët e fundit. Autoritetet e konsideruan ditën e sotme si më të zezën në Mbretërinë e Bashkuar përsa i përket shifrave në rritje, raporton Daily Mail.

Zyrtarët shëndetësorë gjithashtu konfirmuan se më shumë se 2.100 pacientë të rinj kishin testuar pozitivë, që do të thotë pothuajse 12,000 raste me COVID-19 janë regjistruar në Britani.

Në Mbretërinë e Bashkuar dje u regjistruan 43 vdekje nga koronavirusi, duke ngjallur shpresë se bllokimi thuajse total i kërkuar nga kryeministri Boris Johnson po jepte rezultate për menaxhimin e krizës.

Por fotot e publikuara sot nga mediet britanike dëshmojnë se jo të gjithë qytetarët po i marrin parasysh apelet për të qëndruar në shtëpi dhe për të respektuar distancat.