Shkon në 16 numri i të prekurve nga koronavirusi në Itali. Të gjitha rastet janë regjistruar në veri të vendit. 14 në Lombardi dhe Lodigiano dhe 2 në Veneto, bën të ditur agjencia e lajmeve ANSA.

Dy të prekurit në Veneto janë dy pensionistë 70-vjeçarë, njëri prej të cilëve në gjendje kritike.

Numri i të prekurve nga virusi vdekjeprurës është rritur ndjeshëm gjatë orëve të fundit, pasi vetëm pak orë më parë, mediet italiane raportonin vetëm 6 të prekur.

Një 38-vjeçar italian rezultonte i prekur nga virusi vdekjeprurës në Lombardi. Ai nuk kishte udhëtuar ne Azi, por në fillim të shkurtit ishte takuar me një mik, që sapo ishte kthyer nga Kina.

Pas kryerjes se analizave, rezulton të jetë prekur edhe bashkëshortja e 38-vjecarit, e cila është ne muajin e tetë të shtatzënisë, një i njohur i tyre si dhe 3 persona të tjerë.

Ndërkohë, në vendin fqinjë kanë nisur edhe polemikat nga politika, pasi Matteo Salvini i ka kërkuar kryeministrit Conte të mbrojë popullatën, ose të dorëhiqet.

“Blindo kufinjtë!”, i bën apel Salvini, Conte-s.