Një maskë mbrojtëse duhet mbajtur tani në shumë pjesë të Parisit, duke filluar nga e hëna, pasi autoritetet vendosën të marrin masa të reja për të ndalur rritjen e infektimeve në kryeqytetin francez.

Urdhrit duhet ti binden të gjithë njerëzit mbi moshën 11 vjeç në zona ku ka grumbullime të mëdha njerëzish si në brigjet përgjatë lumit Senë dhe në tregjet e hapura.

Më shumë se 100 rrugë po ashtu mbulohen nga urdhri sipas një liste të shpërndarë nga policia. Sidoqoftë, disa vende të shumë frekuentuara nga turistët, si Kulla Eiffel dhe Harku i Triumfit në Champs Elisee përjashtohen nga rregullat e reja.

Maskat mbrojtëse kanë qenë të detyrueshme në hapësirat e mbyllura në Francë. Ata që nuk zbatojnë urdhrin rrezikojnë një gjobë prej 135 eurosh.  Pas një izolimi strikt Franca e sheshoi kurbën e infektimeve të reja por që nga fillimi i korrikut rastet janë rritur sërish.

Të premten, vendi raportoi 2288 raste të reja koronavirusi në raportimin e tij ditor, çka shënonte një rekord të periudhës së pas izolimit. Ekspertët kanë paralajmëruar se Franca mund ta humbasë kontrollin e pandemisë në çdo kohë.